
Kujdes! Nga 2026, kush ka një shtëpi të dytë apo të tretë do të paguajë taksa më të larta!
Një lajm jo i mirë për personat që kanë shtëpi të dyta apo të treta. Duke nisur nga viti 2026, qeveria ka parashikuar taksa të reja mbi pasuritë e paluajtshme.
Puna për taksën e re të pronës ka nisur që vitin e shkuar, pasi u hodh në konsultim publik projektligji për taksimin e pasurive të paluajtshme, në të cilin parashikohet që taksa për ndërtesën të variojë nga 0.1% -0.2% e vlerës së saj, nga 0.05% që është aktualisht, pra nga dy deri në katërfishim.
Edhe pse ende nuk është konkretizuar, në draftin e projektligjit të hulumtuar nga Dev Inf Real Estate Company, thuhej se këto taksa shihet si burime kryesore për të ardhura për pushtetin vendor.
“Këto të ardhura do të sigurohen nëpërmjet rishikimit të sistemit tatimor mbi këto pasuri, rritjes së eficiencës së Kadastrës Tatimore, si dhe rishikimit të përjashtimeve të shumta nga këto taksa, përfshirë edhe rishikimin e tarifës së taksës për kategori të caktuara rezidenciale apo disponim të pasurive rezidenciale të dyta dhe të treta”- thuhet në strategjinë e Ministrisë së Financave 2024-2027.
Më tej, strategjia thotë më tej që: ““Duke qenë se të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të pushtetit vendor, është e nevojshme që përjashtimet të mbahen në nivele minimale dhe ndërkohë, lehtësirat tatimore për grupet vulnerabël duhet të ofrohen nëpërmjet mekanizmave dhe formave të tjera. Taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribuon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së”
Taksimi i ndërtesave bazuar me vlerën e tregut ku do merren për bazë çmimet e reja të referencës pritet të zbatohet nga viti 2026. Pas Tiranës, që ka çmimet e reja referuese nga vjet, po përgatitet përfundimi i vlerës së hartës me referencat e reja në të gjithë vendin.
Parashikimi për taksimin e diferencuar për qytetarët të cilët zotërojnë më shumë se një shtëpi, aktualisht është në fazën e konsultimit publik dhe pritet të hyjë në fuqi duke nisur nga viti 2026, por cilat janë specifikisht argumentet e Qeverisë për rishikimin e taksës për banesat?
1. Sipas qeverisë, taksa e pasurisë e bazuar në vlerën e tregut është një taksë e drejtë. Regjimi tatimor që zbatohet aktualisht në Shqipëri i vendos në shumë raste të njëjtën barrë tatimore, si një personi që ka pasuri të paluajtshme në qendër të qytetit, ashtu dhe një personi që ka pasuri të paluajtshme me të njëjtat karakteristika por në periferi të qytetit, me vlerë tregu më të ulët. Një sistem taksimi i bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, ofron më shumë drejtësi dhe mundëson një diferencim më të mirë të barrës tatimore për pasuri të paluajtshme me vlera të ndryshme tregu, duke bërë qe barra tatimore të bjerë kryesisht mbi ata që kanë të ardhura të mira, apo me aftësi më të larta pagese.
2. Taksa e pasurisë e bazuar në vlerën e tregut ka potencial të fortë për rritjen e të ardhurave. Baza tatimore e një takse të bazuar në vlerën e tregut, identifikon vlerën e shtuar të pasurive të paluajtshme nga investimet kapitale, shërbimet apo programet e financuara nga bashkia dhe qeveria, që nuk identifikohen apo merren parasysh nga tarifa, taksa apo tatime të tjera që aplikohen sot. Në këtë kuadër, kur rritja konstante e vlerës së tregut të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në zonat që po zhvillohen apo urbanizohen me shpejtësi, identifikohet saktësisht dhe taksohet, kështu sigurohet financim për infrastrukturën dhe për shërbime shumë të nevojshme urbane
3. Taksa e pasurisë e bazuar në vlerën e tregut stimulon shfrytëzimin produktiv të pasurive të paluajtshme. Duke qenë se taksa e pasurisë llogaritet duke u bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, pra duke marrë në konsideratë përdorimin alternativ më të mirë të pasurisë së paluajtshme, ajo do të ofrojë një nxitje të fortë për të shfrytëzuar pronat në mënyrë produktive (psh. tokat dhe ndërtesat e pashfrytëzuara). Në këtë kuadër ajo mund të de-motivojë gjithashtu fryrjen e pajustifikuar të çmimeve të pasurive të paluajtshme.
4. Taksa e pasurisë siguron një burim të vazhdueshëm financimi për pushtetin vendor. Për shkak të paluajtshmërisë së bazës së saj, thekson Qeveria, taksa e pasurisë është e vështirë që të shmanget, dhe të ardhurat prej saj janë përgjithësisht të parashikueshme dhe të qëndrueshme.
5. Taksa e pasurisë, sipas Qeverisë, inkurajon shërbime/investime të përgjegjshme për qytetaret dhe është instrumenti tatimor më pak deformues. Taksa e pasurisë është e dukshme dhe politikisht e ndjeshme. Për këtë arsye, vendimmarrësit vendorë kanë një shtysë të fortë për të siguruar shërbime dhe investime publike për qytetarët, duke menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme dhe efiçente të ardhurat që i financojnë ato.
Link i draftit: https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/781
Dërgoni të dhënat tuaja
dhe agjentët tanë do t'ju
kontaktojnë menjëherë.
Eksperienca jonë nder vite për tregun aktual si dhe për perspektivën e zhvillimit në fusha të ndryshme na ka dhënë njohuri për të plotësuar hartën e parë dhe të vetme Interaktive të Tiranës me çmime të sugjeruara për secilën zone.